Akuzat për shkollën ‘Sami Frashëri’, Veliaj shigjeton opozitën dhe Metën: Janë bërë si brigadierë të komunales

6 Nëntor 2020, 18:56

Pas akuzave të shumta për shkollën Sami Frashëri, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk i ka kursyer shigjetimet për kryetaren e LSI Monika Kryemadhi,  kryedemokratin Lulzim Basha dhe presidentin Meta. Nga njësia 11, e cila është shndërruar në një kantier punë, kryebashkiaku i quajti kundërshtarët politikë, brigadierë komunaleje.

“Jam i sigurt që do ndodhë edhe këtu, siç ndodhi te “Sami Frashëri”, do vijnë edhe këtu të thonë: betoni, betoni, betoni! Po fëmijët nuk do luajnë në llucë, shtrohet një shtresë betoni, mbi të shtrohet tartani. Do ju vijë Mona me Joridën te kangjellat, do varen këtu e do thonë: kush punoi, kush s’punoi. Lajmi i mirë është sot se vetëm një njeri po kandidon për kryeministër, Edi Rama. Ilir Meta me Monikën dhe Luli me Joridën po kandidojnë për supervizorë dhe brigadierë punimesh në Bashkinë e Tiranës. Ndaj, u themi: Kemi vende pune për supervizorë, jeni të mirëpritur, të paktën tani e dimë që ambicia e tyre është të jenë brigadierë komunaleje”, u shpreh ai.

Erion Veliaj inspektoi punimet për këndin më të ri të lojërave në kryeqytet, që do i shtohet buqetës së 72 këndeve në vetëm pesë vite.

“Është kollaj të ankohesh tani që po punohet, por kur të mbarojë do ia shohim dukun dhe do na kujtohet kush punoi dhe kush i bllokoi projektet. Para 5 vitesh, betejat tona për transformimin e Tiranës filluan me këndin e lojërave, me ata që merrnin pistoletën, linin presidencën dhe Parlamentin, për t’u sherrosur me lisharëset dhe lojërat e fëmijëve. Turp i madh! Më vjen mirë që ajo shprehja: “Zoti na e shtoftë inatin” ka funksionuar, kështu që çdo muaj kemi bërë nga një kënd të ri lojërash. Në 72 muaj në Bashkinë e Tiranës kemi 72 kënde lojërash”, deklaroi kryebashkiaku.

Në turin e tij në Njësinë 11, kreu i Bashkisë inspektoi edhe bllokun e banimit në rrugën “Jusuf Gervalla”, ku investimet janë shtrirë në nivel të konsiderueshëm.