'Po fshihen viktimat COVID', ende asnjë hetim nga prokuroria/ Vëzhgimi i Report Tv

20 Nëntor 2020, 12:41 | Përditesimi i fundit: 2020-11-20 22:40:47

Kamera e Report Tv qëndroi për afro 120 minuta tek morgu i Tiranës ku në ambientet e tij u futën 7 autoambulanca, dy prej të cilave me mbishkrimin nga spitalit “Shefqet Ndroqi” i cili funksionin vetëm si spital Covid.

Në këtë rast, dy autoambulaancat sollën 4 të pajetë, ndërsa autoambulancat e tjera ende nuk dihet se nga i kanë sjellë trupat e dorëzuar në morg.

Ndërkohë nuk munguan as automjetet e makinave funerale ku siç shpjeguan jashtë kamerave shoferët marrin personat që kanë humbur jetën nga COVID dhe i dërgojnë për kryerjen e ceremonive mortore.

Për akuzat e kreut të opozitës se janë fshehur shifrat reale të të vdekurve me COVID, ReportTv u interesuar edhe pranë SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Posaçme sqaroi se ata nuk inventarizojnë të vdekurit dhe nuk është kompetencë e tyre ndërsa prokuroria e Tiranës tha se ende nuk ka nisur një procedim penal apo të jetë ngritur një grup hetimi.