Kryeministri Edi Rama është nisur për në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dy ditë më parë kreu i qeverisë fillimisht e anuloi vizitën duke u kthyer në Tiranë për të ndjekur nga afër situatën pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin, por tashmë që rreziku më i madh kaloi pa pasoja të rënda është nisur për në SHBA për të marrë pjesë në asamble, ndërsa shprehet se do të takohet mes të tjerash edhe me presidentin e SHBA-së Donald Trump.
"Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara" shkruan ai.
Edi Rama thotë se sot është një ditë e zakonshme për Shqipërinë dhe ndjen keqardhje për përhapjen e alarmit fals nga portali Syri.net për një tërmet 6 ballë duke nxjerrë mbrëmjen e djeshme njerëzit në rrugë në frikë dhe panik. Këtë gjë për kryeministrin e bëjnë ata që duan kaos dhe rrëmujë. Por ai shton se gjithçka ka kaluar si s’ka më mirë, në krahasim me ç’mund të kishte qenë dhe jeta vazhdon po njësoj.
"Jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht. E përsëris, dëmet janë minimale dhe pa lidhje me panikun maksimal që krijoi goditja dhe ushqeu më pas, papërgjegjshmëria haluçinante e një sërë burimesh (diz)informacioni. Skenarët e ndryshëm të financimit të krizës së mundshme, ishin gati vetëm pak orë pas goditjes së fortë sizmike dhe kontaktet me partnerët ndërkombëtarë u morën në kohë rekord, në nivelet më të larta e si asnjëherë më parë" thotë Rama.