Al-Bagdadi, Pentagoni publikon imazhet e para të sulmit që vranë liderin e ISIS

31 Tetor 2019, 08:34

Pentagoni publikon pamjet e para të sulmit që çoi në vrasjen e liderit të Isis, Abu Bakr al-Bagdadi.

Videoja e shpërndarë në Twitter nga Us Central Command tregon forcat amerikane që i afrohen kompleksit ku qëndronte i fshehur al-Bagdadi.

Në video shihet që nga 'dy lokacione afër kompleksit, luftëtarë të ISIS hapin zjarr ndaj njërit prej avionëve amerikanë që marrin pjesë në bastisje," tha gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA.

Në imazhe tregohen pjesë të kompleksit para dhe pas sulmit amerikan në tunelet ku fshihej lideri terrorist.

"Kur kapja e al Bagdadi ishte shumë afër, lideri i ISIS shpërtheu një bombë dhe vrau veten dhe dy fëmijë," tha McKenzie, duke përsëritur dinamikën që tashmë ishte ilustruar nga Presidenti Trump në deklaratën e tij të dielën më 27 Tetor. 

McKenzie gjithashtu tha që analiza e ADN-së konfirmoi "përtej dyshimit" se njeriu që vdiq në sulm është Abu Bakr al-Bagdadi.

Ai tha gjithashtu,me një siguri maksimale, se nuk ka asnjë dyshim se mbetjet e trupit ishin të al Bagdadit .

Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA, gjeneral McKenzie, tha që ADN-ja e përdorur për të konfirmuar identitetin e al-Bagdadi ishte krahasuar me atë që ishte mbledhur gjatë ndalimit të tij në kampi Bucca, në Irak.

Lidhur me varrosjen e liderit të ISIS, gjenerali konfirmoi se "ai u varros në det në përputhje me ligjin e konflikteve të armatosura brenda 24 orëve nga vdekja e tij".