Albana Shoshi: Të rishikohet arti i pas ‘90-s, kritika klanore, abuzon në shkallëzimin e vlerave!

11 Shkurt 2020, 17:54

Kur historia ndryshon kahet, dhe lëvizjet e njerëzve ndryshojnë, tek një piktore e talentuar si Albana Shoshi, edhe qëndrimi ndaj artit nisi të shtresëzohej ndryshe.

Albana Shoshi, pa viteve ‘90, u gjend në pragun e ndryshimeve të mëdha, që pasonte periudhën e artit të orientuar të realizmit socialist.

Vajza e piktorit të shquar Zef Shoshi do ta niste ndryshimin e saj të madh nga brenda mureve të shtëpisë, dhe këtë do ta pranonte pa qenë nihiliste ndaj vlerave të artit të së kaluarës,përkundrazi.

Ndryshimi në teknikat dhe stilin e pikturës erdhën natyrshëm për Albana Shoshin, me një luftë të brendshme kundrejt pikëpyetjeve dhe hezitimeve të saj. Ndaj ajo, në moshën 17-vjeçare nisi të shfaqej si Albana Shoshi e pikturës moderne shqiptare.   

Punon në disa zhanre, si shprehëse të tematikave të pasura që vjel nga jeta. Por tablotë në bojëra vaji i japin artistes profilin e një piktoreje me vizion të fortë, kundrejt natyrës së brishtë dhe emocionale që fsheh nën “patosin” e pazakontë koloristik.