Albert Mullai emërohet komandant i Forcës Tokësore, Xhaçka: Kemi shumë sfida përpara

2 Shkurt 2019, 09:14

Gjeneral brigade Albert Mullai është emëruar komandanti i ri i Forcës Tokësore duke zëvendësuar gjeneralmajor Nazmi Cahanin, i cili e mbajti këtë post për më shumë se 3 vjet. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi se vlerësimi i profesionistëve dhe njerëzve të përkushtuar është motoja e punës në Forcat e Armatosura.

“Puna e palodhur, përkushtimi, profesionalizmi gjithmonë do të shpërblehen. Kjo është motoja e punës sonë, është motoja e punës sime është objektivi i punës sime është objektivi që ne i kemi vënë vetes dhe është standardi i panegociueshëm që ne do të zbatojmë në të gjitha strukturat e FA. Por puna dhe zhvillimi më tej i FT nuk ka përfunduar dhe kemi shumë sfida të tjera përpara. Dua t’i shpreh dhe dua ta siguroj gjeneral Mullain se në Ministrinë së Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm do të keni gjithë mbështetjen e duhur për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët, përmbushjen e misionit që i është ngarkuar Forcës Tokësore dhe Forcave të Armatosura në përgjithësi.”, tha Ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Gjeneralmajor Nazmi Cahani dorëzoi detyrën duke falënderuar gjitha bashkëpunëtorët e tij gjatë 3 viteve në krye të Forcës Tokësore, ndërkohë që komandanti i ri i kësaj force gjeneral brigade Albert Mullai falënderoi ministren Xhaçka për besimin dhe siguroi se fokusi i punës së tij do të jenë stërvitja dhe kujdesi për kushtet e punës, për gjithë efektivët e Forcës Tokësore dhe familjet e tyre. Gjeneralmajor Nazmi Cahani do të vijojë të shërbejë në Forcat tona të Armatosura, si përfaqësuesi ushtarak në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.

Pak më muaj më parë, nën monitorimin e NATO u certifikua Grup Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë, pjesë e Forcës Tokësore, ndërkohë që  në qindra stërvitje kombëtare e ndërkombëtare efektivët e kësaj force nuk kanë qenë numra në formacione, por kanë sjellë në vendin e tyre trofe e vlerësimet më të mira nga vendet anëtare të NATO-s.