Albin Kurti flet rreth idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë

20 Shkurt 2020, 14:28

Albin Kurti ka folur për herë të parë si kryeministër i Kosovës për gazetën prestigjoze gjermane 'Süddeutsche Zeitung' në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, dy marrëveshjet e nënshkruara në Mynih si dhe për raportet me Beogradin.

Kurti tha se ai nuk është kundër dialogut por sipas tij ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat duhet të jenë të obligueshme për të dy palët.

“Serbia, - tha Kurti duhet të pranojë realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mund të kthehemi pas në kohën e  Millosheviçit”.

Kryeministri i Kosovës tha gjithashtu se tentativat për shkëmbimin te territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe se zgjidhje të tilla  mund të hapin Kutinë e Pandorës në Ballkan.

Në lidhje me dy marrëveshjet e nënshkruara mes Prishtinës dhe Beogradit Kurti tha se negociatat janë zhvilluar nga qeveria e kaluar se qeveria e re nuk ka qenë e përfshirë dhe se as ai e as ministri i infrastrukturës nuk e kanë nënshkruar. Ai gjithashtu shprehu rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Mbi rolin e Richard Grenellit, të emëruarit të Donald Trumpit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se Grenell ka sjellë energji të re në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës por tani – tha Kurti, Kosova ka qeveri të re dhe se negociata të tilla nuk mund të zhvillohen mes presidentëve por mes dy qeverive.