Albin Kurti, letra për Donald Trump dhe Mike Pompeo: Unë do udhëheq dialogun Kosovë-Serbi

2 Mars 2020, 15:02

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Kurti i ka njoftuar ata në lidhje me vendimin për heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, duke treguar edhe procesin nëpër të cilin do të kalojë ky vendim.

Ai, po ashtu, ka njoftuar se dialogun e Kosovës me Serbinë do ta udhëheqë vetë ai si kryeministër i vendit

Në letrën e shkruar për presidentin Amerikan, Kurti ka shkruar se “Qeveria e Kosovës dhe ai personalisht janë të përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë. “Ne, - shkruan Albin Kurti- mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve”.

Duke shpjeguar procesin e heqjes së taksës 100%, Kurti shkruan se “Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para dhe kjo bëhet  si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë”.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu fton “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”

Kurti ka theksuar në letrën e tij se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai, si kryeministër i Kosovës.

Albin Kurti ndërsa thekson se do të vihet vet në krye të dialogut me Serbinë, thotë se “gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës si dhe mungesë qartësie se kush duhet të flasë në emër të shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Ai shkruan se “Kjo do të përfundojë” me qeverinë që ai drejton dhe se merr përgjegjësinë e plotë për të udhëhequr procesin e bisedimeve me Beogradin.