Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kallëzon në SPAK Veliajn: Ra tërmet 9 ballë, por teatri qëndroi!

31 Dhjetor 2019, 14:09

TIRANE- Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka kallëzuar penalisht sot kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Jashtë dyerve të SPAK ata kanë deklaruar se do t'i shkojnë kësaj çështje deri në fund për të vënë para përgjegjësisë, të gjithë shkelësit e ligjit.

"Në fakt dje ne morëm konfirmimin nga Bashkia se aty është ndërtuar një bunker i rrethuar me policisë. Ne shkuam për të pyetur se çfarë po ndodh me teatrin dhe ajo nxori policët. Kryetari i Bashkisë ka thënë se e ka përfshirë teatrin në buxhetin e vitit 2020 por ne nuk dimë të jetë bërë një konkurs. Nëse është bërë diçka është bërë në fshehtësi dhe të plotë dhe korruptive. Ne kemi bërë diçka shumë konkrete. Ne do e bëjmë procesin e plotë, por ne do ta zbërthejmë në çdo hallkë. Në SPAK do të çohen vetëm titullarët. Të gjithë kanë bërë shkelje dhe do mbajnë përgjegjësi.Ka rënë 9 ballë tërmet dhe ata inxhinierë që kanë thënë se teatri nuk qëndron në këmbë do mbajnë përgjegjësi. Teatri është një vend i shenjtë dhe i paprekshëm. Duam që këta persona të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka kthim mbrapa. Ne kemi besimin e lartë tek qytetarët. Këtu mbërthehet i gjithë korrupsioni. Kemi vënë fytyrën në një kauzë. Veliaj është një njeri që duhet të shkojë në burg, por nuk ka kush ta çojë në burg. Kjo është një farsë e madhe. Tani po lëvizin gjërat dhe është në favorin tonë. I vetëm që do ta shembi dhe i ka hypur këtij kali keq është kryeministri dhe kryetari i bashkisë. Ne do i japim të gjithë vëmendjen për detyrën që ka secili", tha Ervin Goci, pedagog dhe aktivist.