Aleanca për Teatrin çon peticionin në Fier dhe Vlorë, Budina: Të shumtë qytetarët që na janë bashkuar

3 Qershor 2020, 22:48

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është zhvendosur ditën e sotme në Fier dhe në Vlorë për të firmosur peticionin, që e ka çuar deri më tani në disa qytetet, ku kërkohet ndërtimi i teatrit kombëtar ashtu siç ishte aty ku ishte.

Mbledhja e firmave të peticionit është bërë para teatrit Bylis të Fierit, ku kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë firmosur. Si në çdo qytet tjetër edhe në Fier kanë qenë prezentë në firmosjen e peticionit të dy vëllezërit Budina dhe aktori Neritan Licaj. Përveç qytetarëve ka pasur edhe aktivistë e anëtarë partie të PD e LSI.

Edhe në qytetin e Vlorës ka pasur qytetarët që i janë bashkuar peticionit të Aleancës për Teatrin për të dhënë firmat e tyre para teatrit Petro Marko. Regjisori Edmond Budina tha nga Vlora se peticioni ka pasur mbështetjen e qytetarëve në të gjitha qyteteve që kanë shkuar, ndërsa e ka cilësuar të pakuptimtë se si artistë vlonjatë kanë firmosur për shembjen e teatrit në Tiranë.

"Një pjesë e artistëve vlonjatë kanë votuar pro shembjes të teatrit kombëtar në Tiranë kjo nuk është diçka e drejtë. Është njësoj sikur unë të firmos për të shembur shtëpinë tënde. Një pjesë e artistëve normalisht që do të firmosin pasi mbrojnë punën e tyre por kjo nuk është e drejtë. Çfarë pune ka ai në Vlorë të votoj për teatrin e Tiranës njësoj sikur unë të votoj për shembjen e teatrit Petro Marko në Vlorë", tha Budina.