'Ali Asllani kthehet në vendlindje'/ Sinaj: Kontributi i tij i kufijtë e fshatit Vajzë e Vlorës

23 Nëntor 2019, 18:13 | Përditesimi i fundit: 2019-11-23 20:20:05

VLORË- "Ali Asllani kthehet në vendlindje". Busti i poetit, shkrimtarit, politikanit të mirënjohur shqiptar vendoset në qendër të fshatit Vajzë të Vlorës, fshat ku u lind dhe u rrit. Prezent në këtë ceremoni inaugurimi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, deputeti Vullnet Sinaj si dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli. Për Ruçin, Ali Asllani është një figurë e shquar që la gjurmë jo vetëm në vepra, rreshta dhe fjalë, por edhe në vepra për vendin e tij, fshatin ku u lind, Vlorën por dhe gjithë Shqipërinë, vepra që jetojnë edhe sot ndër breza.

"Labëria ka nxjerrë njerëz të shquar të pushkësh dhe të mendjes. Gojtarë dhe poetë. Artistë dhe profesionistë. Shtetarë dhe diplomat. Por, ka nga ata burra të personaliteteve të shquara të Labërisë që kanë mishëruar njëherësh të gjitha këto cilësi. Ali Asllani është njëri prej tyre", tha Ruçi.Deputeti i zonës Vullnet Sinaj, u shpreh se figura e Ali Asllanit i kalon kufijtë e fshatit Vajzë dhe Vlorës.

"Ali Asllani i kalon vlerat e Vajzës dhe Vlorës. Është i gjithë Shqipërisë. Është dekoruar edhe si Nder i Kombit. Është gjëja më e bukur që mund të ndodhe për një fshat si Vajza, pasi Ali Asllani i bën nder këtij fshati. Në prag ët këtij 75 vjetori të Çlirimit të vendit nuk kishte moment më të bukur për ta vlerësuar Ali Asllanin në fshatin e tij të lindjes", tha Sinaj.

Ndërkohë pjesë e këtij aktiviteti kanë qenë edhe nipi dhe mbesa e Ali Asllanit të cilët shprehen falenderimet dhe emocionet e tyre.

"Një falenderim mjaft të veçantë dhe të ndjerë këtij populli, pasi nuk e solli Aliun kot. Mendoj se mishëron vlerat e veta që Aliu ka dashur t'i përçojë nëpërmjet veprës së tij", tha nipi i Ali Asllanit.

"E ndjej sikur ai është kthyer i gjallë në fshatin e tij", ishin këto fjalët e ndjera të mbesës.

Busti i Ali Asllani i vendosur në fshatin Vajzë të Vlorës është derdhur në bronz.