Ambasadori gjerman në Shqipëri: Duhet më shumë transparencë me tenderat

15 Janar 2020, 21:36

TIRANE- Ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zingraf, gjatë takimit të zhvilluar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë, me në fokus rritjen e  tregtisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve ka sugjeruar që Shqipëria të punojë më tepër për rritjen e transparencës në mënyrë që të përthithen investimeve të huaja.

“Tregtia mes dy vendeve tona fatkeqësisht ishte e ulët. Duhet më shumë transparencë dhe llogaridhënie e vendimeve administrative duke pasur parasysh çështjet që kanë të bëjnë me pronat tenderët por edhe projektet e infrastrukturës këto ja në vetëm disa nga elementët thelbësor”, tha ambasadori gjerman në Shqipëri Peter Zingraf.

Ministrja e Financave Anila Denaj tha se deri në tetor të vitit të kaluar investimet direkte gjermane në vend arritën në 12 milionë euro.

“Në muajin tetor 2019, numri i bizneseve gjermane ato të përbashkëta Shqipëri gjermani ka arritur në shifrën e 230 biznese. Stoku i investimeve direkte në Gjermani në fund të tremujorit të tretë të 2019 arriti 163 milionë euro dhe fluksi i investimeve të huaja direkte arriti për tremujorin e tretë ishte në vlerën e 12 milionë euro”, tha Denaj.

 Nga ana tjetër Presidentja e Shoqatës Stephanie Sieg ka ngritur shqetësim emigrimin, ajo tha se punëtorët e kualifikuar largohen jashtë vendit.

“Si çështje shqetësuese është emigrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve me aftësitë e duhura për të punuar në vende të tjera, ne do të punojmë me Ministrinë e Financave dhe atë të Arsimit për të gjetur zgjidhje që këta persona të punojnë në Shqipëri”, u shpreh presidentja e DIHA-s.