Ambasadori turk: Jemi moblizuar për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri!

6 Dhjetor 2019, 17:07

TIRANE- Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas tërmetit të datës 26 nëntor që përshkroi vendin tonë është angazhuar për të qenë koordinatore për planifikimin e projekteve për rindërtim. Për këtë, në një konferencë për mediet, së bashku me ambasadorin turk Murat Ahmet Yoruk dhe me nëndrejtorin e e Entit të Banesave të Turqisë, Mustafa Levent Sungur, shpjeguan nismën e Presidentit turk, Erdogan, për të ndërtuar 500 banesa në vendin tonë. Margariti ndali fillimisht tek evidentimi i vendit, se ku do të ndërtohen këto banesa. 

"Të parët që po na bashkohen edhe fizikisht është grupi turk. Po bëhet punë e madhe nga ne edhe agjencitë e tjera për krijimin e një vizioni të qartë. Po bëjmë identifikimin e zonave që ky vizion të marrë jetë. Premtimi i qeverisë turke është ndihma me 500 banesa. Kemi nis punën edhe evidentimi i parë është për shtresat në zonat rurale. Nuk duhet të humbasim kohë, të gjithë grupet jemi të ndarë në qeveri. Nga vizitat në terren është diskutuar për hapësira që janë pronë shtetërore, se duam që kjo të kthehet në një mundësi zhvillimi sa më shpejt", u shpreh Elva Margariti.

Ndërsa, vet ambasadori turk Murat Ahmet Yoruk, teksa rrëfeu eksperiencën e shtetit turk me tërmetet, ndali edhe tek ndihma konkrete, që ka nisur të marrë jetë në terren. "Shteti i Turqisë, por edhe ne si popull kemi përvojën e tërmeteve, dhe e dimë psikologjinë që krijohet në momente të tilla. Prandaj pas udhëzimeve të presidentit tonë për ndërtimin e 500 banesave, janë mobilizuar me këtë termet te gjitha institucionet e Turqisë”, tha ambasadori turk. 

Pas këtyre udhëzimeve Enti i Banesave në Turqi ka ardhur në Shqipëri, dhe ka përcaktuar hapësirat ku mund të bëhen këto ndërtime.  Mustafa Levent Sungur, zvpresident i entit te banesave ne Turqi: “Ne erdhëm direkt pas fjalës së dhënë nga presidenti i Turqisë, por edhe një grup tjetër nga ministria e mjedisit për përcaktimin e dëmeve nga tërmeti. Jemi në përfundim të dizenjimit të ndërtimit të këtyre godinave, fillimisht në zonën e Laçit. Do të respektojmë në këto punime edhe arkitekturën vendore. Fillimisht do të bëjmë edhe inspektimin e terrenit, pastaj do nisim procesin e ndërtimit të banesave”