Amerika: Të zhgënjyer që BE-ja s'hapi negociatat, shpresojmë të çelen para Majit 2020!

19 Tetor 2019, 13:55

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyer për vendimin e Këshillit Europian për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me anë të një reagimi zyrtar Departamenti i Shtetit shprehet se BE nuk i njohu përpjekjet dhe reformat e të dy vendeve.

Në reagimin në fjalë thuhet se DASH shpreson që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër. Mes të tjerash zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus thekson se një vendim pozitiv do të rikonfirmonte besueshmërinë për integrimin e këtyre dy vendeve në BE. Ndër të tjera SHBA shpreson që të gjendet një konsensus për hapjen e negociatave para Samiti BE-Ballkan Perëndimor në majin e ardhshëm.

Deklarata nënvizon faktin që “Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”.

Në fund Departamenti i Shtetit shpjegon se SHBA do të vijojë të mbështesë Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë dhe se i inkurajon të dy vendet qëndrojnë të palëkundura në ndërtimin e një shoqërie transparente.