AMF dhe kompanitë kërkojnë gjobë automatike për sigurimet! Gonxhe: Nuk e pranojmë

24 Mars 2021, 17:23

Ka mbërritur në Komisionet Parlamentare projektligji për ndryshimet në Kodin Rrugor, i cili ka për qëllim përmirësimin e dispozitave, parandalimin më efikas të aksidenteve rrugore dhe ndjekjen e praktikave të legjislacioneve ligjore të Bashkimin Evropian. Çështja më sensitive mbetet gjobitja nëse të mbaron sigurimi i detyrueshëm. Shoqata e Siguruesve kërkon gjoba automatike brenda 30 ditëve. Sipas Edvin Libohovës, legjislacioni evropian është i ashpër për ata shoferë që nuk kryejnë sigurimin brenda 15 ditëve.

“Këtu kemi shembullin e Anglisë, Francës, Italisë, ku shkohet deri në raste të konfiskimit të mjetit dhe gjobat janë mjaft të larta. Po ju marrë një shembull, Bullgarinë, e cila ka patur në 25% nivelin e mjeteve të pasiguruara, dhe me masat e marra, duke vendosur në mënyrë automatike gjobën brenda 15 ditëve nëse nuk je i siguruar dhe me bllokim të mjetit, ka mundur të arrij nivelin e mjeteve të paregjistruara në nivele europiane.” – u shpreh Libohova.

Gjoba automatike hidhet poshtë nga Blendi Gonxhe, drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor. Sipas tij nuk ka pasur në asnjë moment dakordësi për gjobitjen automatike të qytetarëve për sigurimin e detyrueshëm.

“Nuk ka pasur asnjëherë, duhet t’a saktësoj këtë gjë, asnjë lloj dakordësie, e cila do të çonte drejt një vendimi, akti apo procedure, e cila do të presupozonte gjobitje automatike të qytetarëve për pjesën e sigurimit të detyrueshëm, të cilën njerëzit e njohur ndryshe si TPL dhe që të gjitha ndryshimet që vijnë nuk i japin hapësirë këtij koncepti.” – u shpreh Gonxhe.

Referuar ndryshimeve për Kodin Rrugor, ndryshimet janë propozuar konkretisht për nenin 92, të cilit i shtohet pika me këtë përmbajtje: Cilido, që qarkullon me një mjet për të cilin ka kaluar mbi 30 ditë afati i sigurimit të detyrueshëm, ndëshkohet me masë administrative me gjobë sipas parashikimeve të nenit 191, pika 2. Rregullat dhe procedurat për vendosjen e gjobës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.