Analistët: Partitë e vogla nuk po mbështesin Bashën, Meta po spostohet nga PD

28 Maj 2020, 09:56

Aleatët duket se e kanë braktisur në rrugën që ka ndërmarrë së fundi Basha. Për analistin Ben Andoni, partitë e vogla nuk po e mbështesin kryetarin e Partisë Demokratike në përpjekjet për të arritur qëllimin final:  zgjedhje të parakohshme.“PD realisht po bën lojën e vet, dhe duhet të bëjë lojën e vet, sepse kur përballet në zgjedhje, është ajo që përballet me PS dhe jo partitë e vogla. Këto të fundit duan të nxjerrin sa më shumë që të munden në kurrizin e Partisë Demokratike. Praktikisht kjo e fundit ka filluar zgjedhjet, ka filluar fushatën e saj", tha Andoni. Ndërkombëtarët i sheh në anën e kryedemokratit, ndërsa për reformën zgjedhore shprehet skeptik. “Basha gjithmonë ka luajtur mirë me ndërkombëtarët, i njeh më mirë ato, është i kujdesshëm që ta lehtësojë sepse e di që jemi të varur prej tyre. Dhe zotit Basha i nevojitet çdo ndihmë e tyre, dhe kur të afrohet vetë ambasadorja për ndihmë nuk mund ta hedhësh poshtë, siç bëri Meta” , shprehet Andoni. Përsa i përket reformës në drejtësi, analisti Andoni mendon që është një çështje që sërish e ndan opozitën. “Partitë më të vogla dhe më skajore janë të interesuara, u pëlqen që në vend të ketë një aksion të tillë, kurse partive kryesore u intereson ta mbyllin, sepse janë të varura nga ndërkombëtarët", deklaroi analisti Andoni. I vetëm në rrugën e tij politike duket se është edhe presidenti Meta. Për analistin Mentor Kikia kreu i shtetit po del jashtë loje.