Anëtarësia e PD në Durrës asnjë ndryshim listës, konfirmon të gjithë kandidatët për fazën tjetër por kush ishin më të kundërshtuarit

4 Tetor 2020, 16:27 | Përditesimi: 4 Tetor 2020, 16:27

Emrat me më peshë të Partisë Demokratike, janë kundërshtuar më shumë nga anëtarëia e Durrësit e cila kishte rradhën për të miratuar kandidatët në listën prej 28 vetësh. Burime për Report Tv bëjnë me dije se emrat që morën më shumë vota kundër ishin Oerd Bylkbashi, Dejana Burgjia, Igli Cara, Pëllumb Berisha, Ardian Muka. 

Tre të parët morën më tepër se 400 vota kundër, por arritën t’i shpëtonin ndëshkimit të bazës. Një kandidat në degën e Durrësit  duhej të merrte 615 vota kundër, pra 20% të numrit total të votuesve. Nga 3075, zgjodhën që këtij procesi t'i përgjigjen vetëm 2253 anëtarë të Partisë Demokratike.

Të shtunën demokratët e qarkut të Durrësit nuk arritën të skualifikonin asnjë prej 28 emrave të propozuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave, ndonëse kontestuan disa prej tyre. Njëjtë si në Durrës, edhe kandidatët e mundshëm për deputet në degët e tjera, Shijak, Krujë dhe Fushë Krujë do t'i nënshtrohen të gjithë fazës tjetër të përzgjedhjes.

Edhe në këto degë, pjesëmarrja e anëtarëve në votime ishte e ulët, rreth 65%. Por indiferenca e anëtarësisë në procesin e votimit, që në çdo qark u ndoq nga afër edhe nga Gazment Bardhi nuk vihet re vetëm në Qarkun e Durrësit.

Gati gjysma e anëtarësisë refuzuan votimin edhe në qarqe të tjera si Kukësi, Gjirokastër, Dibër, Berat, Shkodër  e Lezhë. Do të jetë pikërisht Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave që pas rishqyrtimit të emrave, do të hartojë listën përfundimtare të kandidatëve të mundshëm.

Më pas ata do ia kalojnë listën kryesisë, e cila ka të drejtë të propozojë 20% të listës finale. Ndërkohë këtë të dielë, zhvillohet procesi i votimit nga anëtarësia e Elbasanit, e cila mes 45 kandidatëve të mundshëm duhet të votojë për të lënë jashtë liste emrat të cilët nuk i sheh si përfaqësues të denjë në parlamentin e ardhshëm.

b.ha./Shqiptarja.com