Anëtari i bandës së Niklës i shpëton atentatit, i vrasin hallën në derë të shtëpisë

22 Shtator 2019, 11:17

KRUJE - Vritet në një atentat për hasmëri ndaj Mariglen Hakës, halla e njërit prej anëtarëve të bandës së Niklës, ndërsa i ka shpëtuar atentatit dhe ka mbetur i plagosur rëndë me armë, shënjestra, i arrestuar në 2018-ën në operacionin e bujshëm të forcave RENEA që rrethuan fshatin e Fushë-Krujës duke zbuluar armatime, municione e drogë.

Mariglen Haka mbeti i plagosur me armë pak para mesnate teksa ndodhej në derën e shtëpisë, ndërsa plumb mori edhe halla e tij. Shpresa Basha ndërroi jetë në spital, ku nuk mundi t'i mbijetojë plagëve të marra.Report TV përcolli pamjet ekskluzive teksa të plagosurit mbërrijnë në urgjencën e spitalit të Traumës, ku i solli me makinë private, Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Edhe vetë Valter Bami është pjesë e grupit të arrestuar të bandës së Niklës në 2018-ën. Dyshimet e para të policisë, janë se kemi të bëjmë me një atentat të mbetur në tentative për motive hasmërie. "Grupi hetimor po punon për  identifikimin e autorëve dhe sqarimin  e rrethanave të ngjarjes", thotë policia në një njoftim paraprak për ngjarjen.

Vrasja e biznesmenit te kromit per te marre haken e vellait

Mariglen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë pasi në 13 qershor 2011 është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e Bllokut. Haka u tha në atë kohë se kishte vrarë biznesmenin pasi dyshonte se ai ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, në vitin 2004.