Angela Merkel: Nga 1 marsi, viza për punëtorë me aftësi profesionale nga jashtë BE

17 Dhjetor 2019, 15:02

Qeveria e kancelares Angela Merkel ka diskutuar me zyrtarët gjermanë të biznesit dhe të sindikatave strategjitë për tërheqjen e punëtorëve me aftësi profesionale nga jashtë Bashkimit Europian, në kushtet kur vendi po përpiqet të zgjidhë çështjen e mungesës së profesionistëve të kualifikuar. Kancelarja Angela Merkel u tha gazetarëve se qasja e qeverisë së saj ndaj problemit do të ishte më shumë trajnime për gjermanët dhe tërheqja e më shumë njerëzve të kualifikuar nga vendet e tjera të BE-së. Por, duke e ditur se vetëm kjo do të ishte e pamjaftueshme, Gjermanisë i duhet të sjellë punëtorë nga jashtë BE-së.

Merkel tha se  Gjermania do të duhet t’ua lehtësojë punëtorëve të kualifikuar marrjen e vizave për të filluar sa më shpejt në vendet e reja të punës. Ajo tha gjithashtu se duhet punuar që Gjermania të shihet si një vend tërheqës për t’u sistemuar.