Ankaraja nis deportimin në Europë të një duzine luftëtarësh të huaj të ISIS

15 Nëntor 2019, 13:18

Turqia ka filluar operacionet e riatdhesimit, të njoftuar disa ditë më parë, të një duzine luftëtarësh të huaj të ISIS për në vendet e origjinës.

Sipas Ministrisë së Brendshme turke, sot janë deportuar, duke u transportuar me avion, 7 gra të kombësisë gjermane dhe një prej Mbretërisë së Bashkuar.

Gjithashtu një amerikan, i arrestuar gjatë operacionit ushtarak të nisur muajin e kaluar në Sirinë veriore (dhe i identifikuar nga media lokale si 39-vjeçari Muhamed Darwis B.), që mbeti për tre ditë në zonën tampon midis Greqisë dhe Turqisë, në afërsi të provincës turke të Edirne, është deportuar pasi hyrja e tij u refuzua nga autoritetet e Athinës.

Ndërsa Turqia dërgon në Europë dhjetëra bashkëpunëtorë të Shtetit Islamik, një gjykatë hungareze ka ulur në bankën e të akuzuarve një qytetar sirian, i akuzuar për terrorizëm dhe krime kundër njerëzimi. 27 vjeçari i arrestuar në aeroportin e Budapestit në fund të vitit 2018, burri mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga një nga një duzinë oficerësh të luftës kundër terrorizmit.

Në vitin 2015 ai kishte ekzekutuar disa disidentë të Shtetit islamik dhe një imam në provincën siriane të Homsit.

Qeveria e Rexhep Tajip Erdogan thotë se do të vazhdojë dëbimin edhe të militantëve që u janë privuar shtetësia nga vendet e tyre.

Kjo është një lloj përgjigje e rreptë ndaj aleatëve të NATO-s, të cilët e kanë sulmuar Ankaranë për shkak të ofensivës ushtarake.

Në ditët në vazhdim, priten rreth 24 riatdhesime të tjera, kryesisht francezë, gjermanë dhe irlandezë.

Më shumë se 1500 luftëtarë të ISIS ndodhen në burgjet e Turqisë në pritje të deportimit për në vendet e origjinës.

287 xhihadistë të tjerë të kalifatit, kryesisht të huaj, u kapën nga Ankaraja pas ofensivës së nisur më 9 tetor kundër kurdëve në veri-lindje të Sirisë.