TIRANË- Policia e Shtetit shqiptar është më pak e politizuar se shtete si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Holanda! Është ky rezultati i anketimit të qeverisë suedeze mbi imazhin e Policisë së Shtetit te publiku, prezantuar sot nga ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Një fakt i tillë, për ministrin është një tregues shumë i qartë për të gjithë ata që e quajnë "polici politike", aq më tepër gjatë ditëve të fundit, pas vrasjes së të riut Klodjan Rasha nga efektivi i policisë.
“Kjo është shumë interesante, është një pyetje që iu jep përgjigje të gjithë atyre që nuk lënë vend pa shpifur, që Policia e Shtetit është bërë polici politike. Dhe është një përgjigje e drejtpërdrejtë, ku me kënaqësi e shohim që Shqipëria prapë është në një trajektore shumë pozitive, krahasuar me vendet e tjera. Shikoni ku kemi qenë në 2013, krahasuar me vendet europiane! Shiko ku është Shqipëria sot, në 2020, krahasuar me mesataren e vendeve europiane. Kemi lënë mbrapa madje edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca për sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit. Më vjen shumë mirë që publiku nuk është ndikuar në masë nga balta që i bëhet nga politika e mbrapshtë dhe nga gjithë sulmet e padrejta që pëson Policia e Shtetit”, u shpreh ministri Çuçi
Disa nga rezultatet e këtij anketimi, i realizuar në muajt tetor-nëntor të këtij viti, thuhet se qytetarët ndihen më të sigurt krahasuar me 2013. Më konkretisht, 80% e të intervistuarve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre pasi është errësuar, ndërkohë, 58% mendojnë se Policia i trajton më me respekt, teksa 54% mendojnë se policia do të pranonte ryshfet nga 74% që kanë qenë në 2013.
