Ankimohen 8.2% e tenderave të hapura në 2020! Më shumë ankesa për prokurimet publike për pandeminë

3 Maj, 16:01

Garat tenderuese të hapura gjatë vitit të kaluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe nga Ministria e Shëndetësisë kanë qenë më të kontestuarat gjatë vitit që lamë pas. Sipas raportit të Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2020 janë 115 tendera të këtyre dy institucioneve që janë ankimuar.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Ministria e Shëndetësisë kanë hapur edhe më shumë tendera gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë COVID-19, dhe nevojës që ajo shkaktoi për medikamente dhe mallra të ndryshme në funksion të përballimit të saj.

Përpos këtyre ankimimeve numri i ankesave në total gjatë vitit 2020 është ulur, nga 1052 ankesa në vitin 2019 në 741 në vitin e kaluar, nga të cilat Komisioni i Prokurimit Publik ka dalë me vendim për 663 ankesa. 29% e ankesave të paraqitura kanë qenë për dokumentet e tenderit dhe rreth 71 % të tjera për fazën e vlerësimit të ofertave.

“Nga 6440 procedura të publikuara për prokurime, (pa përfshirë ankande dhe koncesione), për 532 ose për 8.2 % prej tyre janë paraqitur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik”, thuhet në raportin vjetor.

Sipas të dhënave janë marrë vendime për procedura tenderuese që kapin vlerën e mbi 24 miliardë lekëve, ose rreth 9% e totalit të fondit limit të tenderave është shoqëruar me ankesa në procedurat përkatëse.

732 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 1 për procedurat konkurruese koncesione/PPP, 3 për procedurat e ankandit publik dhe 5 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare.

Kategori të tjera

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha