Lirohen nga Policia e Lezhës në plazhin në Kune, Shëngjin, rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 500 cadra e shezlongë.
Procedohen nga Policia e Lezhës 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mospagim taksash".
Procedohen penalisht 2 Drejtorë pranë Bashkisë Lezhë për veprën penale "Shpërdorim detyre".
Lirohen në Velipojë rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige).
Procedohen nga Policia e Shkodrës dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave "Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazh, në Kune, Shëngjin.