Anti-informaliteti/ Bllokohen dy biznese në Vlorë, Denaj: Kontrolle natën për të kapur shkelësit

21 Korrik 2019, 17:30 | Përditesimi i fundit: 2019-07-21 20:46:21

VLORE-Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj në kuadër të zbatimit të planit operacional në luftën kundër informalitetit inspektoi sot disa subjekte në zonën e Lungomares. Ajo u shpreh se nga inspektimi që është bërë në 19 subjekte dy janë kapur me shkelje dhe janë bllokuar, pasi nuk kanë qenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Gjithashtu është penalizuar një subjekt për moslëshim kuponi, i cili u gjobit në  masën 50,000 lekë, sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj tha se do të vijohet puna për evidentimin e subjekteve që nuk përmbushin detyrimet ligjore dhe tatimore. “Kemi inspektuar gjithë zonën e bregdetit deri në Orikum dhe do të vazhdojmë me verifikimet. Shpresoj që të kemi rritur ndërgjegjësimin e bizneseve dhe për këtë flasin edhe shifrat. Sikundër e kemi nënvizuar gjithmonë qëllimi ynë nuk është vetëm kryerja e verifikimeve në terren, por edhe ndërgjegjësimi. Përgjegjësia e biznesit është përgjegjësia e kërkuar për të respektuar ligjin dhe për të qenë në mbrojtje të konsumatorit”, tha ministrja Denaj.