Anti-informaliteti bllokon hotelin në Vlorë, pronari: Me hyrjen u mor Ylli Baka! Rama: Vazhdoni bosa vazhdoni...

3 Gusht 2019, 13:19

VLORE-Vijon lufta kundër informalitetit me kontrollet në vijën bregdetare dhe jo vetëm. Kryeministri Rama mëngjesin e sotëm ka publikuar pamjet e bllokimit të një hoteli në Vlorë, pasi është kapur me shkelje. Hotel 'Tragjasi' që u bllokua ndodhet në zonën me të njëjtin emër në Orikum në pronësi të Hasan Labajt. Shkak për bllokimin është bërë mungesa e deklarimeve për të gjithë biletat për një mbrëmje me muzikë live ku i ftuar ishte këngëtari i muzikës popullore Ylli Baka. Për këtë arsye Hasan Labajt, ish-kandidat për bashkinë e Orikumit në 2011 iu bllokua hoteli dhe u gjobit. I kontaktuar nga Shqiptarja.com Labaj e cilësoi të turpshme publikimin e fotove të hotelit të bllokuar dhe sqaroi sipas tij të vërtetën e bllokimit.

"Unë kam një hotel në Tragjas të ndërtuar që në 1994 dhe vendosur në funksion në 2004, kam hedhur miliona. Jam deklarues i rregullt. Mbrëmë kishte muzikë live, erdhi kontrolli dhe përsa i përket deklarimeve për hotelin dhe punonjësit ishte gjithcka në rregull. Inspektorët më vendosën gjobë 50 mijë lekë dhe më bllokuan hotelin, pasi sipas tyre nuk kisha prerë të gjitha biletat për personat që ishin futur. Por unë kisha një marrëveshje me këngëtarin Ylli Baka që me hyrjen merrej ai, përfshirë këtu edhe biletat.

Ai preu disa bileta në fillim, më pas kur ishte në skenë, pas orës 24:00 erdhën të tjerë persona, por duke qenë se këngëtari ishte në skenë, disa bileta i preva unë me kasën time. Por sipas inspektorëve biletat duhet t'i prisja unë të gjitha nga kasa ime, mesa kuptova. Por unë kisha marrëveshje me këngëtarin që do i jepja vetëm 100 mijë lekë dhe pjesën e biletave për prerjen dhe fitimet i merrte të gjitha ai. Hoteli është i bllokuar dhe nuk e di si do ia bëj tani, pasi kam prenotime për disa dasma. Publikimi i fotove nga kryeministri është e turpshme. Unë e di se cfarë do të bëj tani, por dua të them se jam deklarues i rregullt dhe vetëm shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugës sa më shkojnë" tha ai.

Por, Rama thotë tahmaja e madhe të lë pa gjë, ndërsa shprehet i vendosur se toleranca do të jetë zero dhe herët apo vonë të gjithë do të futen në rreshtin e ligjit.

"Koka ben koka peson dhe nuk thotë kot populli, tahmaja e madhe te le pa gje. Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë lojë; kush më shpejt e kush më vonë, o do futet në Rreshtin e Ligjit dhe s’do prekë lekët e popullit që ka brenda kuponi për çerdhe, kopshte, shkolla, ambulanca, spitale, o do mbetet me gisht ne goje.

ZeroTolerancë për këdo që fut duart në xhepat e njerëzve sa majtas e sa djathtas dhe prek arkën e shtetit" shkruan Rama. Prej 1 gushtit aksioni anti-informalitet është fokusuar edhe te kontrolli për të kaluar në sitë të gjitha pikat e karburanteve.