SHKODËR-Një punishte që prodhonte produkte ushqimore të ndryshme është bllokuar në në lagjen "Skënderbeg" në zonën industriale ish-Fermentimi në kuadër të aksionit anti-informalitet, ndërsa është shpallur në kërkim pronari Gëzim Bala 61-vjeç. Report Tv publikon pamjet e bllokimit të produkteve të bllokuara, turshi, salca, etj.
Pas indicieve është bërë kontrolli i ambienteve nga ku u zbulua se prodhoheshin përsëri produkte të ndryshme ushqimore në kundërshtim me ligjin, të cilat u bllokuan.
Operacioni është realizuar nga specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Shkodër në bashkëpunim me strukturat qendrore të AKU-së dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Kjo nuk është hera e parë që ky person ka probleme me drejtësinë, pasi është arrestuar edhe në mars të vitit të kaluar po për këtë arsye, por aktivitetin e ka vijuar sërish. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore" dhe "Fshehja e të ardhurave".