Anti-Informaliteti/ Lirohen 10 mijë m2 plazh të zaptuar në Ksamil, procedohet n/kryetari i Bashkisë

5 Gusht 2019, 09:47

Kryefjalë e muajit gusht është aksioni kundër informalitetit, qëllimi i së cilës është lirimi i hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme në plazhet shqiptare.

Kësaj herë, aksioni është shtrirë në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë ku janë liruar 10 mijë m2 plazh si dhe janë proceduar 6 pronarë biznesesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për "Zënia e hapësirave publike".

Gjithashtu, është proceduar edhe n/kryetari i Bashkisë së Sarandës Jorgo Mitro, nuk ekzekutoi vendimin për të liruar një sipërfaqe të plazhit publik prej 600 m2 në Ksamil. Kjo hapësirë shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga F. P., që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë.

Gjatë operacionit në Ksamil, Policia ka liruar dhe kthyer në shërbim të qytetarëve rreth 10000 m2 hapësirë publike. Është  proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur "Pema" në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.

Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jal, ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet  "Plazh Privat" në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.