Kryefjalë e muajit gusht është aksioni kundër informalitetit, qëllimi i së cilës është lirimi i hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme në plazhet shqiptare.
Kësaj herë, aksioni është shtrirë në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë ku janë liruar 10 mijë m2 plazh si dhe janë proceduar 6 pronarë biznesesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për "Zënia e hapësirave publike".
Gjithashtu, është proceduar edhe n/kryetari i Bashkisë së Sarandës Jorgo Mitro, pasi nuk ekzekutoi vendimin për të liruar një sipërfaqe të plazhit publik prej 600 m2 në Ksamil. Kjo hapësirë shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga F. P., që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë.
Më konkretisht, në Ksamil janë liruar 10000 m2 hapësirë publike, ndërsa u procedua K. I., 35 vjeç. Nga ku operacion janë bllokuar dhe sekuestruar 1185 shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.
Në Himarë gjatë kontrollit në Jal është proceduar G. S., 47 vjeç, administrator i biznesit sepse nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.
Ndërkohë në Vlorë është proceduar L. M., 52 vjeçe dhe E. N., 38 vjeçe administrator, pasi në bizneset që ata administronin në lagjen "Ujë i Ftohtë" kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.
Edhe në Divjakë u procedua E. A., 38 vjeçe administratore për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve, si dhe mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet.