TIRANE - Në kuadër të zbatimit të Planit Operacional në luftë kundër Informalitetit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një inspektim në disa pika të tregtimit me pakicë të karburanteve në aksin rrugor Fier–Tiranë. Nga verifikimi u konstatua rasti i një pike karburanti që operonte në regjim manual dhe që u penalizua sipas rregullave ligjore në fuqi.
“Dëshiroj të theksoj se jemi këtu për t’i ardhur në ndihmë konsumatorit. Ne, së bashku me Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial, Doganën dhe Hetimin Tatimor, do të kemi në fokus të punës sonë cilësinë e karburantit, markimin e tij, pajisjen me kasa fiskale, si dhe evidentimin e rasteve të përdorimit të regjimit manual”, tha ministrja Denaj.
Ajo apeloi që biznesi të regjistrohet sipas të gjithë rregullave ligjore në fuqi dhe theksoi se zbatimi i tyre është me rëndësi, jo vetëm për sektorin e hoteleri-turizmit, por për të gjithë sektorët e ekonomisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj, tha se Plani Operacional i përgatitur është koordinuar në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe synon kontrollin, si dhe kryqëzimin e të dhënave për të gjithë produktet e akcizës.
“Gjatë kësaj jave, në fokus do të jenë pikat e karburantit dhe tregtimi i produkteve të tjera të akcizës, si pjesë e planit të hartuar. Grupet në terren, së bashku me koncesionarin e markimit të karburanteve, po ushtrojnë kontrolle që kanë si subjekt verifikimin, nëse pikat e karburanteve janë të fiskalizuara ose jo. Pra, merren mostra si në pompë, ashtu edhe në depozitë, për të parë nëse për këtë produkt janë paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit”, tha Gjokutaj.