Anti-informaliteti/ Ministrja Denaj: Javën tjetër emrat e kompanive abuzuese

19 Gusht 2019, 17:07

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, bënë publike sot të dhënat e fundit të aksionit kundër informalitetit ndaj produkteve të akcizës. Ajo ka deklaruar se aksioni antinformalitet do të jetë i fokusuar në vazhdim tek produktet e akcizës. Ministrja paralajmëroi se javën tjetër do të bëhen publike shifrat dhe emrat e gjithë kompanive që kanë abuzuar, pa përjashtuar edhe inspektorët që janë konstatuar se kanë toleruar këto shkelje.

“Takimi ynë i radhës do jetë javën e ardhshme. Drejtori e përmendi që ne jemi duke përfunduar dhe këtë javë kontrollin në të gjitha pikat doganore, jemi duke përfunduar gjithë procesverbalet. Do të flasim javës tjetër me shifra dhe me emra kompanish dhe me numër inspektorësh të cilët do të shkojnë për masa disiplinore pasi mendojmë se ky proces nuk mund të shkojë vetëm me gjobitje të bizneseve për të cilat ka parregullsi por sigurisht edhe për ata inspektorë që në vite kanë lejuar që këto parregullsi”, theksoi ministrja Denaj.

Ministrja Denaj tha se zbatimi i Planit Operacional në produktet e Akcizës ka dhënë efekte pozitive, ku të ardhurat nga akciza për muajin korrikin ishin 4.86 miliardë lekë, me një realizim në masën 107 % ndaj planit dhe me rritje prej +17.8 % krahasuar me korrikun e vitit 2018, ndërkohë që e njëjta ecuri pozitive vërehet edhe për gjysmën e parë të muajit gusht.Ndërsa theksoi se subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në produktet e akcizës kanë një sërë lehtësisht nga Ligji 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, Ministrja i bëri thirrje biznesit që të respektojë detyrimet ligjore pasi, ligji parashikon edhe penalitete për ato subjekte që nuk deklarojnë konform përcaktimeve ligjore.

Ministrja informoi se brenda vitit aktual, në fazën e dytë të zbatimit të Planit Operacional, verifikimet nga ana e Administratës Doganore do të kryhen për një periudhë tre vjeçare, e jo vetëm që nga fillimi i vititi 2018, siç po ndodh aktualisht. Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, informoi se gjatë periudhës 1 korrik deri në 15 gusht 2019 janë kryer 960 kontrolle, nga të cilat 71 raste kanë rezultuar me shkelje.