Antimafia/SPAK: Nën hetim pasuror një numër i konsiderueshëm personash të krimit dhe korrupsionit

11 Prill 2021, 14:19

SPAK, përmes një raporti të detajuar, informon Kuvendin e Shqipërisë se po kryen hetime pasurore për një rreth të gjerë personash, pjesë e grupeve të strukturuara kriminale, por edhe për njerëz të përfshirë në çështje korrupsioni. Ndërsa bën një bilanc të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, përmes goditjes së pasurive, SPAK paralajmëron rritjen e nivelit të goditjes gjatë vitit 2021, duke zbatuar ligjin anti-mafia. “Verifikime dhe hetime pasurore po kryhen për një numër të konsiderueshëm personash, pjesë e grupeve të strukturuara kriminale që kanë aktivitet trafikimin e narkotikëve, njerëzve, për çështjet e korrupsionit, çështje të cilat janë në faza gjykimi dhe hetimi”, thuhet në raport.

SPAK ka bërë një bilanc të rezultateve të zbatimit të aktit normativ anti-krim të qeverisë vitin e kaluar, për goditjen e njerëzve të krimit, përmes sekuestrimit të pasurive, izolimit fizik dhe përjashtimit nga prokurimet publike. Sipas raportit, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) ka paraqitur në SPAK 251 dosje për sekuestrimin e pasurive të subjekteve të aktit emergjent akti-krim. Ndërkaq, gjatë vitit 2020, prokurorët e SPAK-ut kanë paraqitur në Gjykatën Speciale 120 kërkesa për sekuestrimin e pasurive të dyshuara si të paligjshme. Gjykata është shprehur për 117 kërkesa të SPAK për sekuestrim pasuria, ndërsa tre kërkesa janë në shqyrtim.

Nga 117 kërkesa të shqyrtuara, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar 115 kërkesa për sekuestrim pasurie, duke refuzuar vetëm dy prej tyre. Në total, gjykata ka pranuar kërkesat e SPAK-ut, për të sekuestruar 661 pasuri, ku përfshihen 373 pasuri të paluajtshme, 233 pasuri të luajtshme, 51 aktivitete tregtare dhe 4 llogari bankare. Pas sekuestrimit, SPAK ka vijuar betejën për t’i konfirmuar këto pasuri, për t’i kaluar përfundimisht në pronësi të shtetit shqiptar.