Anulim i fiskalizimit nga PD? Vasilika Vjero: Dëmton buxhetin dhe rrit informalitetin

16 Prill 2021, 13:58

Rritja e të ardhurave 36 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me vitin e kaluar, është një sinjal pozitiv që ekonomia po ri-ngrihet sipas zëvendësministres së Financave Vasilika Vjero. Por sipas saj është ende herët për të rishikuar në rritje për parashikimet e rimëkëmbjes së këtij viti.

“Është ende herët për të folur për të ndryshuar parashikimet tona për rritjen ekonomike sepse janë një sërë faktorësh që kalkulohen dhe japin këtë shifër, ne do të duhet të presim ende, pasi duhen edhe shifrat e tremujorit të dytë të vitit që është tejet vendimtar për të parë edhe më tej se si do të vijojë trendi. Pra jemi ende herët dhe do ti përmbahemi atyre shifrave që janë parashikuar edhe në buxhetin e këtij viti por edhe në buxhetin afatmesëm”, tha për Report Tv zëvendësministrja.

Ndikim në rritjen e të ardhurave kanë dhënë disa zëra fiskal.

“Ndikim pozitiv ka pasur importi i automjeteve të përdorura, metalet bazë, veshjet, tekstilet, plastika materialet e ndërtimit që kanë dhënë një kontribut të madh. Ka qenë importi i energjisë elektrike që ka pasur impakt negativ në të ardhurat doganore por duhet të themi që lidhet me  rritjen e prodhimit vendas”, pohon Vjero.

Por sipas Vjerros pozitiv është fakti që janë rritur kontributet.

“Kemi një rritje të ardhurave nga kontributet dhe jemi në masën 1.1 miliardë lekë më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar, dhe ndërkohë plani i vitit 2021 është realizuar në masën 107%, çka tregon që edhe kontributet kanë pësuar një trend pozitiv dhe nuk ka pasur rënie dhe gjithçka ka qenë konformë asaj që ne presim nisur edhe nga situata dhe numri i të punësuarve”, u shpreh zëvendësministrja.