Anulohet koncesioni për privatizimin e llixhave të Peshkopisë

5 Shkurt 2019, 15:31

Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë në prefekturën e Shkodrës ka anuluar lejen e dhënë në muajin dhjetor për shfrytëzimin e ujërave termale në Peshkopi. Mbledhja është zhvilluar ditën e sotme me dyer të mbyllura. Vendimi i marrë nga po ky Këshill me 11.12. 2018 parashikonte që shfrytëzimi i ujërave termale ti jepej një firmë private.

Vendimi për dhënien e lejes së shfrytëzimit për subjektin privat “Nesimi SHPK” nxirrte jashtë loje Qendrën Balneare Peshkopi e cila funksionon mbi bazë të një VKM-je. Janë mbi 35 hotele dhe mbi 100 biznese familjare që e kanë lidhur veprimtarinë e tyre me funksionimin e ndërmarrjes së llixhave. Prefekti i Qarkut Dibër organizoi një takim me përfaqësues të ndërmarrjes së llixhave, përfaqësues të Bashkisë Dibër si dhe përfaqësues të komunitetit dhe biznesit pas shqetësimit.

Prefekti iu drejtua AKMU-së dhe Këshillit të Basenit Drin-Bunë me një shkresë me anë të të cilës kërkoi anulimin e këtij vendimi pasi ky vendim nuk ka marrë në konsideratë disa akte ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e ndërmarrjes së llixhave të Peshkopisë.

Anulimi i lejes erdhi pas deklaratës së ministres Olta Xhaçka, e cila mbrëmë nga Dibra e cilësoi vendimin si abuziv dhe në mungesë të plotë transparence. Gjithashtu ministrja në fjalën e mbajtur tha se për këtë rast do të mbahen dhe përgjegjësitë e duhura. Ky vendim është denoncuar edhe nga Partia Demokratike në ditët e fundit.