Kreu i qeverisë Edi Rama tha se zërat që thonë se mund të përsëritet një '97 e dytë përhapen nga ata që i tremben zgjedhjeve. Ai tha se vendi nuk është në kushte për konflikt. Ai thumboi presidentin Ilir Meta dhe vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve duke thënë se burimi që justifikon aktin e tij është filxhani dhe parashikimet e Monika Kryemadhit.
"Nuk ka rrugë tjetër përveçse të shpresojnë se këtë hov njerëzit ta marrin për kërcënim. Se çfarë '97 do bëhet këtu. Me molotovë në dorë do e bëjnë këta. Ku janë këtu kushtet për konflikt, që populli të ngrihet të mbrojë Lulin, Ilirin, Saliun dhe fallxhoret. Këto janë blofe nga njerëzit që besojnë më shumë filxhanin, që nga Ilir Meta që anulon zgjedhjet në mes të zgjedhjeve. Njësoj si të anulohet ndeshja në mes të saj. Thotë se kam burime të besueshme, dmth filxhani. Thotë ajo kam parë një gjarpër në formë tete, protesta e 8 qershorit. Nuk del dot para popullit se populli i njeh shumë mirë. Asnjë merak nga konfliktet dhe nga zgjedhjet. Të gjitha ata që e duan dhe e ndjejnë detyrën ndaj Shqipërisë të marrin pjesë në zgjedhje. Askush të mos përzihet me ta, të mos bëhet mish për top për ta", tha Rama.