'Apartamente, llogari dhe një automjet me para krimi', vlonjatit i sekuestrohen pasuri në vlerën 540 mijë euro

11 Dhjetor 2019, 16:00 | Përditesimi i fundit: 2019-12-11 17:11:55

VLORE-  I vendoset sekuestro preventive pasurive në vlerën 543 452 euro të një vlonjati me dyshimin se është përfituar nga veprimtaria kriminale. Në sekuestro janë vënë 2 apartamente banimi në Vlorë, 2 llogari bankare dhe 1 automjet Volksëagen në pronësi të personit me iniciale G. B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ai është arrestuar në Itali në vitin 2017 për veprën penale "Trafikim narkotikësh" dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vendosën sekuestron preventive në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

"Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, ndaj G. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme", njofton zyrtarisht policia e Vlorës.