Apelohet vendimi që favorizoi abuzimin tek tregu Agro Ushqimor

31 Janar 2019, 17:37 | Përditesimi i fundit: 2019-01-31 21:25:49

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të apelojë në Gjykatën Administrative të Tiranës, në përpjekje për të pakësuar sa më shpejt “dëmet e rënda” që abuzimet e kryera nga Tregu Agro-Ushqimor i Tiranës po u shkaktojnë mijëra tregtarëve dhe konsumatorëve. Me një letër dërguar Eriol Roshit dhe Kastriot Selitës, kryetarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit të Gjykatës Administrative të Tiranës, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që të lejohet procedura e përshpejtuar. Ankimimi i veçantë, i paraqitur nga Autoriteti, ka si objektiv anulimin e vendimit skandaloz, me të cilin më 13 janar gjyqtari Avni Sejdi bllokoi ekzekutimin e masave të të njejtit Autoritet të Konkurrencës ndaj shoqërisë EKMA, pronare e Tregut Agro-Ushqimor të Tirans, që parashikonin sjelljen në normalitet brenda 30 ditësh të tarifave dhe kushteve kontraktore ligjore për 300 tregtarë të shumicës, të cilët kanë marrë me qira magazina. Shoqëria EKMA, aksionerë të të cilit janë monopolisti i shëndetësisë private Klodjan Allajbeu dhe Haxhi Bardhi, kushëri i ish-kryeministrit Sali Berisha, vepron që nga dhjetori 2014 në kushtet e monopolit dhe, sipas Autoritetit të Konkurrencës, kjo rrethanë i ka lejuar të abuzojë me pozicionin e saj dominues në treg duke iu imponuar tregtarëve tarifa dyfish krahasuar me ato realet dhe, në disa raste, edhe abuzive. Këto tarifa të fryra, të paguara nga tregtarët e shumicës, kanë sjellë kështu një rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve për konsumatorët me pakicë. Në sajë të këtyre super-tarifave, shoqëria EKMA në tre vitet e fundit ka realizuar 10 miliardë lekë fitim. Ankimimi i parë ka të bëjë me të dytin, nga dy vendime kontradiktore të marra nga i njejti gjyqtar i Gjykatës Administrative, Avni Sejdi, brenda dy javësh: I pari kundër shoqërisë EKMA dhe i dyti në favor të saj.

Vendimi i parë mban datën 27 dhjetor 2018: me atë vendim, gjyqtar Avni Sejdi ka rrëzuar kërkesën e shoqërisë EKMA që të ndërpresë pagesën e gjobës dhe aplikimin e rregullave të reja të urdhëruara nga Autoriteti i Konkurrencës si ‘’të pabazuara në ligj e në prova’’. Arsyetimi, mbi të cilin bazohet Vendimi, është se, sipas ligjit, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë tituj ekzekutivë, pra të zbatueshme menjëherë nëpërmjet një zyre përmbarimore. Por më 10 janar 2019 i njejti gjyqtar, Avni Sejdi, nxjerr një vendim të dytë, që përmbys krejtësisht konkluzionet e tij dhe, këtë herë, është në favor të shoqërisë EKMA. Gjyqtari vendos pezullimin e vendimit të Autoritetit të Konkurrencës dhe urdhëron që kushtet në Tregun Agro-Ushqimor të mbeten siç janë deri në zgjidhjen perfundimtare te çështjes, që mund të vijë edhe pas shumë vitesh. Deri atëherë, tregtarët dhe konsumatorët duhet të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta dhe shoqëria pronare e Tregut të fitojë miliona euro. Duke lexuar Vendimin e dytë, argumentimi i gjyqtarit paraqitet i pabesueshëm: Meqenëse Autoriteti i Konkurrencës ka ngarkuar një zyrë përmbarimore të zbatojë vendimin e tij, sipas gjyqtarit, shoqëria EKMA Albania rrezikon të pësojë dëm nga pagesa e gjobës dhe nga ekzekutimi i një serë detyrimesh të tjera, të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës. Autoriteti i Konkurrencës akuzon gjyqtarin e Shkallës së Parë se nuk ka marrë absolutisht në konsideratë arsyetimin e Autoritetit, duke favorizuar në fakt shoqërinë EKMA. Sipas Autoritetit, ''Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar si të arsyeshme që të vijohet nga kompania EKMA me çmimet abuzive ndaj tregtarëve qiramarës, të mos ketë transparencë në faturat e qirasë së ambientit dhe, deri në përfundim të shqyrtimit të themelit të padisë, EKMA të vazhdojë të faturojë mbi çmimin e energjisë elektrike dhe ujit, të miratuara nga institucione kompetente”.

''Vendimi i Gjykatës - vazhdon Autoriteti - cenon rëndë interesin publik, sepse kompania EKMA është i vetmi treg agro-ushqimor shumice në Tiranë dhe sjell pasoja të rënda ekonomike për qytetarët. Vendimi i Gjykatës i ka dhënë të drejtë kompanisë EKMA deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të vijojë me shkeljet. EKMA - vijon Autoriteti i Konkurrencës - abuzon me pozitën monopol ndaj rreth 300 tregtarëve të shumicës që operojnë në këtë treg dhe që mbulojnë të gjithë tregun e Tiranës, duke bërë të pakthyeshëm dëmin e shkaktuar nga vazhdimi i abuzimit”. Në ankimimin e tij, Autoriteti i Konkurrencës arrin në konkluzionin se vendimi i marrë nga gjyqtari në Shkallën e Parë “nuk plotëson asnjë kriter ligjor material apo procedural dhe, si i tillë, duhet prishur''. Shpresa e tregtarëve dhe konsumatorëve tani mbetet tek vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, e cila ka mundësinë të përmbysë vendimin e marrë nga gjyqtari i Shkallës së Parë dhe t'i kthejë edhe pak besueshmëri Drejtësisë: do të ishte e rëndësishme që të paktën një herë të tregohej se vendimet nuk merren vetëm në mbrojtje të oligarkëve, por edhe të qytetarëve.