Aplikimi online për rindërtimin, si aplikojnë emigrantët dhe familjet me dy kurora

22 Shkurt 2020, 19:18 | Përditesimi i fundit: 2020-02-22 19:19:17

28 shkurti është afati i fundit për të aplikuar online për të përfituar nga programi i rindërtimit, ndërsa sportelet do të jenë të hapura edhe të shtunën dhe të dielën. Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të punës në njësinë nr.8 tha se në apartamente ku ishin dy kurore brenda duhet të aplikojnë të dyja për rindërtimin dhe të bëjnë deklarimet e tyre në mënyrë që të respektohen si dy familje të ndryshme gjatë dëmshpërblimin apo rindërtimi të banesës. Gjithashtu Veliaj sqaroi se emigrantët mund të aplikojnë përmes një përfaqësuesi ligjor ose familjar, për të cilin kanë lëshuar një prokurë përfaqësimi për të kryer veprime në llogari të tyre.

“Çdo apartament duhet të bëjë aplikimin e vet sepse kur janë dëme që do jepen me dëmshpërblim, pagesë në dorë, atëherë secila familje do të marrë fondin e vet me të cilin do bëjë rregullimet. Nuk mjafton vetëm një aplikim për shkallë, por duhet secili apartament të jetë i deklaruar dhe të bëjë një kërkesë për rimbursim. Në qoftë se 26 nëntori ju kapi dy kurora në një shtëpi, të dy kurorat duhet të bëjnë një deklarim dhe pastaj do të respektohen si dy familje të ndryshme”, tha Veliaj.