Arbëreshët e Nju Orlinsit, një histori ndër shekuj

17 Nëntor 2019, 13:24

Çdo vit në fillim të nëntorit, një grup banorësh të Nju Orlinsit mblidhen në katakombet e famshme të qytetit në një ritual tradicional.

Sipas VOA-s, grupi i përket shoqatës "Contessa Entellina", të përbërë nga trashëgimtarët e arbëreshëve nga Siçilia, të ardhur në Shtetet e Bashkuara në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të.

Një pamje e pazakontë shpaloset çdo nëntor në katakombet Metaire të Nju Orlinsit, një festë  që vazhdon prej dekadash.

Me lutje, biseda, histori e shaka, si dhe me dolli e ushqime, një grup banorësh të qytetit mbajnë gjallë kujtimin e brezave që lanë fshatin siçilian Contessa Entellina e u vendosën në Nju Orlins në fund të viteve 1800 e fillim të viteve 1900.

Ata sollën me vete gjuhën, kulturën, fenë dhe identitetin e fshatit të tyre arbëresh.

Nuk është për t’u çuditur që festimet hapen me lutje nga prifti ortodoks, prifti koptik dhe më pas prifti katolik, si një sintezë e rrugëtimit nëpër histori dhe identitetit unik që ata ruajtën për shekuj në Itali e vazhdojnë ta kujtojnë edhe në Nju Orlins.

Ata erdhën në një kohë ndryshimesh sizmike në jugun amerikan.

Historiani i shoqatës Contessa Entellina, Justin Lance Schiro, tregon se pas zhbërjes së sistemit të skllavërisë që solli lirinë për skllevërit, pronarët e plantacioneve kishin mbetur pa krah pune.

Ata u paguanin rrugën me anije fermerëve të Siçilisë me një traditë të gjatë në bujqësi.