Argita Berisha-Flutura Kola Tafaj, 2 studio ligjore me të njëjtat adresa dhe numër telefoni

22 Mars 2021, 20:36 | Përditesimi i fundit: 2021-03-22 20:47:19

Kjo që shikoni është një faturë pro-forma, e prere nga studio "Malltezi & Associates" në vitin 2007, pra dy vite pasi Argita Berisha pretendonte qe kishte shkëputur marrëdheniet me Flutura Kolewn. Por fatura, ku mungon NIPT që është numri i identifikimit te tatimeve, tregon që adresa dhe numri i telefonit te studios "Malltezi & Associates" është i njëjti me adresën dhe numrin e telefonit të studios "Kola & Associates''.

Dokumenti vërteton që Argita Berisha ka vazhduar aktivitetin e saj profesional  nën hijen e Flutura Kolës që ia ka deleguar kompetencat per të arkëtuar paratë. Pra ia ka lënë në dorë "punën e pistë''

Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme, por është një skeme e ndërtuar nga Argita Berisha për të fshehur lidhjet me klientët e saj dhe në këtë mënyrë, për të maskuar konfliktin e interesit të paraqitur nga favoret që klientët e saj marrin nga babai kryeministër në këmbim të konsulencave që paguajnë. Vetëm në deklaratat e pasurisë që Argita Berisha ka bërë publike për  vitin 2008, dalin për herë të parë të ardhura nga aktiviteti i avokatisë për një shumë 5.264.363 lekë, pra rreth 40.000 euro në gjithë vitin. Një shumë qesharake e krahasuar me qindra mijëra euro që kolegia e saj Flutura Kola, siç do të dokumentojmë, arkëtonte në të njëjtën periudhë. 

Edhe pse e fshehur, aktiviteti i Argita Berishës si avokate, njihet nga të gjithë, edhe nga ambasadori amerikan John Ëithers, i cili në kabllogramin sekret dërguar Departamentit amerikan të drejtësisë me 6 qershor 2008, jo vetëm sinjalizon numrin gjigand të klientëve që i drejtohen asaj, por tregon edhe një episod në të cilin evidenton shpejtësinë e çuditshme me të cilën Argita Berisha zgjidh konfliktet ligjore në favor të klientëve të saj: 

“E reja Berisha zgjidh mosmarrëveshjen: Ekziston një ndërtesë e vjetër e epokës komuniste në qendër të Tiranës ende e referuar si Pallati i Kulturës, i cili strehon një librari ndërkombëtare, të frekuentuar kryesisht nga të huaj. Një mosmarrëveshje mbi inventarin e dëmtuar të dyqanit u zgjidh kohët e fundit nga kush tjetër veç vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha. Znj. Berisha, qe praktikon privatisht aktivitetin si avokat në Tiranë qe ka lulëzuar vitet e fundit, ka patur një rritje të lakmueshme të kërkesës për shërbimet e saj. Në rastin e saj më të fundit, cilësia e dobët e punës së rinovimit në katin e dytë mbi librari çoi në një luftë midis ndërmarrjes italiane të rinovimit dhe pronarit të librarisë, i cili kërkoi dëmshpërblim për inventarin e tij të shkatërruar. Mosmarrëveshja u zgjidh jashtë gjykatës kur shërbimet e znj. Berisha u prokuruan nga libraria. Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një demonstrim i aftësive të saj të mprehta juridike, pronarët e biznesit të katit të dytë paguan dëmet një ditë më pas, një zgjidhje jashtëzakonisht e shpejtë në një vend ku paditë mund të duhen vite për t’u zgjidhur – ËITHERS’’

Është e qartë që Argita Berisha, edhe pse nuk shfaqet, punon nën hijen e Flutura Kolës, duke i lënë shoqes së saj emrin e studios dhe detyrën për të arkëtuar pagesat e bëra në rrugë bankare, ndërsa ajo merret me gjetjen e klientëve, ekskluzivisht biznesmenë të cilëve, siç tregojnë dokumentet që Report TV është në gjendje të tregojë, iu merr pagesa të majme në këmbim të favoreve të siguruara nga babai i saj, kryeministri i vendit. 

Studio “Kola & associates” nisi zyrtarisht aktivitetin e saj ligjor me 10.12.2007. Dhe pikërisht 2007 dhe 2008 janë vitet e para milionere për aferat e familjes Berisha, siç tregojnë skandalet publike që përfshijnë qeverinë. Në qendër të akuzave janë vazhdimisht dy fëmijët e kryeministrit: Argita me bashkëshortin Jamarbër Malltezi, dhe vëllai i saj Shkëlzen. Në këtë periudhë piqen afera shumë të njohura si privatizimi i Kompleksit Sportiv Partizani, spekulimi i Porto Romanos në favor të biznesmenti serbo-boshnjak Damir Fazlliç, tragjedia e Gërdecit dhe trafiku i armëve drejt Afganistanit, deri te skandali i shkatërrimit të Jalës që përfshin bashkë me Jamarbër Malltezin edhe funksionarë të Bankës Botërore ose skandali e rruga Durres-Kukes. Në këto afera shfaqen me detyra të ndryshme emri i Argita Berishës, Jamarbër Malltezit, Shkëlzen Berishës, Flutura Kolës dhe të bashkëshortit të saj, por shpesh dalin edhe emra të tjerë që i përkasin të njëjtit grup interesi, dhe konkretisht lideri aktual I Partise Demokratike Lulzim Basha, krahu i djathtë i familjes Berisha sot si 16 vitet më parë, dhe Erion Isufi, kunati i tij.  

Në fakt në vitet kur Sali Berisha është në pushtet, pjesa më e madhe e skandaleve të lidhura me familjen e tij, nuk dalin as në televizion dhe as në faqet e gazetave, pasi abuzimet mbeten të fshehura, të padepërtueshme edhe nga pak media opozitare që do të kishin kurajën për të denoncuar abuzimet e një qeverie që ka qenë gjithnjë shumë e ashpër me mediat e pavarura, duke mbyllur gojën me kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve të lirë e duke u lejuar çdo lloj paligjshmërie e abuzimi gazetarëve e botuesve miq, të cilët ofronin në këmbim heshtjen e tyre. 

Për herë të parë redaksia investigative e ReportTV ka zbuluar dokumente që lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë paratë e arkëtuara nga Argita Berisha dhe Flutura Kola, me vendimet politike të marra nga Sali Berisha. Dokumente që tregojnë se si çdo klient i studios ligjore të familjes, përputhet me vendime, licenca dhe koncesione të firmosura nga Sali Berisha në favor të atyre të njëjtëve biznesmenë që paguajnë fatura prej qindra mijëra eurosh.  

Shumë dokumente janë shkatërruar para se Berisha të  dorëzonte zyrat e pushtetit dhe studio Flutura Kola & Associates i ka bërë publike bilancet e saj vetëm duke filluar nga 2011. Por edhe pse ajo që kemi dokumentuar nuk mjafton të llogarisim përmasat reale të fitimeve të jashtëligjshme që familja Berisha dhe klani i tyre kanë mundur të sigurojnë në tetë vitet kur Sali Berisha ishte në krye të qeverisë, janë gjithsesi të mjaftueshme për të provuar një sistem milioner që Sali Berisha, Lulzim Basha dhe familjet e tyre janë të gatshëm ta ripërsërisin, nëse do të ripreknin pushtetin me dorë.  

Investigimi 4/E shoqja e Argita Berishës (Flutura Kola Tafaj)  arkëtoi në 11 muaj 630 mijë euro
Këto që po shihni janë trasfertat bankare të përfituara nga studio Kola & Associates mes viteve 2007 dhe 2008, të ndodhura në dosjen e vetme të hapur nga prokuroria shqiptare mbi aferat afër familjes Berisha. Hetimet filluan në fund te 2008 pas shpërthimit të skandalit mbi biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç dhe të arkivuara menjëherë me urdhër të kryeministrit. Hetimet nuk guxuan të shtriheshin te Argita Berisha dhe as te bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi që edhe në atë aferë të piste të shitblerjes së tokave në zonën e Porto Romanos, ishin totalisht të përfshirë. Hetimet bankare të kryera përmes Drejtorisë së Përgjithshme kudër pastrimit të parave, lejuan ama që të verifikoheshin trasfertat e marra në vetëm 10 muaj nga Flutura Kola dhe Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.  

Në ato dhjetë muaj, pra nga 28 dhjetori 2007 deri ne 16 tetori2008 studio “Kola&Associates” ka marrë në llogarinë bankare 341.433 euro, ndërsa Flutura Kola ka arkëtuar në llogarinë e saj personale si avokat 289.000 euro të tjera. Një mesatare prej 63.000 euro në muaj të cilat nuk kanë asnjë justifikim tjetër veç marrëdhënies dhe  komplicitetit me Argitën dhe Sali Berishën. Ndërsa Argita deklaronte të ardhura vetëm për 40.000 euro dhe vetëm për një në vit, kolegia e saj Flutura Kola arkëtonte  63.000 euro në muaj, e megjithatë kjo shumë është vetëm maja e ajsbergut të një xhiroje parash shumë më të madhe e pjesa më e konsiderueshme e trajtuar në cash.