Arkitekti Astrit Seranaj në një prononcim për Report Tv akuzoi policinë se e tërhoqën zvarrë në momentin e shoqërimit dhe e goditën. "U shoqëruam me dhunë, edhe mbi mua u ushtrua dhunë. Është e filmuar. Brenda teatrit jam qëlluar me pëllëmba, ishte errësirë, ishte kaos, të bërtitura, dhunë verbale dhe fizike. Kur dolën nga dera e teatrit mbajtën qëndrim tjetër, por 5-6 policë më morën zvarrë në komisariatin nr.1. Kur shkova në polici, në komisariat ka pasur sjellje korrekte. Akuzën nuk e di, por gjithçka kishin shkruar në procesverbal nuk e kam firmosur, më quhej lëvizje e paligjshme.
Sinjalet për ndërhyrje nga policia ishin të vazhdueshme nga ora 10:00 e darkës, kjo solli uljen e vigjilencës. Nga këta njerëz që u larguan ishin eksponentë dhe qytetarë. Godina që u shemb, ishte lënë e degraduar me qëllim, por tregoi se ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve nuk funksionoi. Është absurde. Duhet të pritej vendimi i Kushtetueses. Kjo rrëzoi edhe reformën në drejtësi, që Edi Rama e proklamoi".