Ditën e djeshme në Tiranë, Shkodër dhe Hollandë, policia ka kryer një operacion ku ka arrestuar 11 persona të konsideruar si të rrezikshëm, ndër to edhe Safet Bajri (Rustemi).
Mbi operacionin kanë reaguar edhe figura të rëndësishme të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Në postimin e tij në Twitter, kryeministri i vendit, Edi Rama shkruan se ky aksion ka treguar edhe një herë vendosmërinë e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit.
Policia e Shtetit foli përsëri me forcën e vendosmërisë sonë në luftën kundër krimit. Forca e Ligjit prangosi rrjetin kriminal të Shkodrës pas një pune policore disamujore të shtrirë edhe jashtë vendit. Respekt dhe për vendosmërinë e Prokurorisë. Forca e Ligjit po përshkallëzohet.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në një deklaratë për mediat kanë njoftuar se janë arrestuar në total 11 persona, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e aksionit të zhvilluar pak ditë më parë, në lagjet Kiras dhe Dobraç. Policia njofton se ditën e djeshme përveç Safet Bajrit (Rustemi), janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal.
Ora 15:04
Operacioni 'Oaz', ambasadori i BE-së: Lufta ndaj krimit, prioritet për Shqipërinë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar mbi operacionin e policisë shqiptare që çoi në arrestimin e 11 personave.
Ambasadori Soreca përshëndeti operacionin, të cilin e vlerësoi si të rëndësishëm, ndërkohë që përmendi se lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është prioritet për Shqipërinë dhe BE-në.