Arrestimi i mjekut Edvin Prifti, gazetari Rusta: Në bankë ka më shumë para se sa 380 mijë eurot që iu sekuestruan nga SPAK

17 Shkurt 2021, 23:18

Detaje të reja dalin në dritë nga rasti i mjekut të arrestuar Edvin Prifti të cilët iu gjetën 380 mijë euro në zyrë dhe në shtëpinë e tij. Gazetari Arsen Rusta, i ftuar në emisionin Repolitix thotë se nga hetimet e SPAK, mjeku Prifti rezulton të ketë më shumë para në bankë, sesa vetë shuma e sekuestruara deri më tani nga prokuroria e posaçme.

Ai thotë se mjeku është kapur me çantën e shpinës ku iu gjetën 50 mijë euro, të cilat sipas tij do i dërgonte në bankë pasi i kishte fituar nga një kontratë shit-blerje. Pjesa tjetër e shumës iu gjet nga kontrolli në banesën e tij. Ndërkohë, gazetari i Report Tv, thotë gjithashtu se në bllokun e shënimeve të mjekut, janë shkruar emrat e pacientëve dhe disa shifra që variojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë. Por nuk dihet ende nëse këto shifra u referohen parave, qoftë në lekë apo edhe në euro.

"Blloku u gjet në sendet personale të doktorit. Është një bllok shënimesh ku kishte emra pacientësh dhe anash ka shifra, 1000, 2000, 10.000, nuk janë të shënuara nëse janë lek apo euro. Janë shifra në vlerë, se janë lekë, veprime mjekësore apo ilaçe nuk mund ta themi. Janë kontaktuar disa prej emrave dhe kanë pranuar që janë pacient tek ky mjek. Kemi dy denoncime, një kundër denoncim dhe një audiopërgjim ku pas publikimit në rrjeteve sociale është marrë nga SPAK. Të gjithë mund të thonë se mjeku ishte i pasur dhe çfarë problemi ka. Ka qenë një përgjim rastësor, askush nuk e kishte me mjekun. Në këtë 1 vit e pak nuk ka menduar të shkojë tek mjekët. Shkoi tek doktori për 2 mijë euro që rezulton se ja kërkoi Manuela Mallkuçi për t'i operuar nënën. Shkohet merret kartela në datë 1 shkurt dhe rezulton që mamanë e saj e ka operuar doktori.

Doktorit iu gjetën 50 mijë eurot në çantën e shpinës i cili tha se po i çonte në bankë për një kontratë shtiblerje. Me një kontratë shit-blerje, ligjërisht duhet të kalonin në bankë përpara se të ishin në çantën e doktorit. SPAK i ka sekuestruar pasi nuk ka asnjë faturë që janë nga banka. Në bankë doktori ka të tjera para që në realitet tregon se është më i pasur se ato që i janë sekuestruar. Shifrat e bankës tregojnë më shumë se sa i janë sekuestruar. Të paktën që janë bankë, për SPAK janë më shumë.  Ato nuk mund t'i sekuestrohen pasi mesa janë në bankë, ato konsiderohen të justifikuara. Është një situatë e cila vetë SPAK nuk e ka të lehtë këtë dosje pasi rezulton që është hera e parë e një bluze të bardhë me kaq para. Mbrojtja thotë se paratë janë gjysma e bashkëshortes, pra 50 me 50" - tha gazetari Arsen Rusta.