TIRANË - Kreu i qeverisë, Edi Rama ka përshëndetur aksionin e du ditëve më parë të Policisë së Shtetit, e cila ka vënë në pranga Redjan Rrajën, kushëririn e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, lidhur me atentatin e ndodhur ditën e premten kur mbetën të plagosur, prokurori i Durrësit, Ardjan Ndoja, Landi Muharremi, i njohur si i “forti” i Sukthit, si dhe Andi Maloku.
Rama shkruan se policia ka bërë punë të shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, ndërsa shton se brenda muajit do të jetë gati ligji Special kundër personave të kriminalizuar brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu, kreu i qeverisë shkruan se do të ketë reagim të fortë kundër gjykatësve e prokurorëve të inkrimuar, siç i ka cilësuar organizatë “kap ç’të kapësh” (KÇK).
“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së.
Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë””, -shkruan Rama në një postim në Twitter.
Një ndër prokurorët të akuzuar nga kryeministri Rama si pjesë e organizatës të quajtur “KÇK”, ishte edhe prokurori Ndoja, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen që ndodhi tek mbikalimi i Shkozetit.
Akuzat e Ramës ndaj Prokurorit Ndoja erdhën pasi ky i fundit hetoi dhe çoi në burg, Drejtorin e Hipotekës së Durrësit.
G.D./Shqiptarja.com