Arrestohen 6 persona, njëri prej tyre lidhje me shpërthimin me eksploziv tek “Petro Nini”

15 Qershor 2020, 14:49 | Përditesimi i fundit: 2020-06-15 17:33:15

TIRANË-Një gardist dhe bankier janë mes gjashtë personave të arrestuar nga policia për një tentativë vjedhje me armë zjarri. Të arrestuarit janë Spartak Qoku, Petro Sava, Andi Kraja, Aleks Kala, Emel Hajdaraj dhe Klaudio Metaj. Andi Kraja është punonjës i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ndërsa Aleks Kala gardist, i cili është përjashtuar pas zbulimit të ngjarjes dhe arrestimit nga policia.

 Një tjetër person është shpallur në kërkim, ndërkohë që pjesë e bandës është edhe Franc Alimi, i arrestuar për vënie tritoli në lokalin e Arben Koçollarit ditën e enjte. Qoku, Hajdaraj dhe një tjetër i arrestuar më parë akuzohen edhe si autorë të vjedhjes së një banese në prill 2020, që tashmë është dokumentuar, raporton gazetari i Report Tv, Merin Maçi.

Por cila është ngjarja që akuzohen të arrestuarit?

Një muaj më parë, personat e arrestuar tentuan të vidhnin me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, në një banesë. Pas njoftimit të marrë se në rrugën “Frederik Shiroka”, persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin me armë në banesën e E. M, por nuk kanë mundur, pasi janë diktuar nga të zotët e banesës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve;

Spartak Qoku 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim
Petro Sava 23 vjeç
Andi Kraja 28 vjeç
Emel Hajdaraj 25 vjeç
Klaudio Metaj 33 vjeç
Aleks Kala 31 vjeç

Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e A. Sh., 29 vjeç, banues në Tiranë. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit dhe veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, dy automjete, një sasi municioni luftarak dhe 5 telefona celularë.