Arrestohen rumuni dhe shqiptari me 10 karta të klonuara kanadeze dhe angleze

26 Korrik 2019, 14:45

TIRANE - Dy persona u arrestuan nga Policia e Shtetit dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë, në sajë të një aksioni të koduar  “Credit Card Fraud”, në fushën e krimit kibernetik. Policia sekuestroi karta krediti të klonuara dhe pajisje të tjera që shërbenin për klonimin e kartave.

Në saj të të hetimeve me metoda proaktive u arrestuan një rumun, 37-vjeçari Aleksande Boevan ​​​​dhe një shqiptar 41 vjeçar, C.M banues në Rumani. Po ashtu, hetohet në gjendje të lirë hetohet L. C, 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani.

Rumuni ka pasur rolin kryesor në klonimin e kartave të kreditit, siç raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, madje jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendin e tij të origjinës.

Skema e veprimtarisë kriminale

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, një bankë shqiptare e nivelit të dytë ka bërë kallëzim penal se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe. Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke.

Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Tiranës  procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë.