Arrestohet ish-komandoja, stërviste dy djemtë si luftëtarë të ISIS

15 Prill 2019, 17:42

Sektori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka arrestuar një ushtarak ish- pjesëtar i forcave komando nën akuzën e “stërvitjes për kryerjen e akteve terroriste” dhe nxitje për kryerjen e veprave terroriste. 29 vjeçari Erzen Uka, i vetëshpallur me emrin Hamzah Uka ka publikuar video në Facebook me përmbajtje ekstremiste si dhe stërviste fëmijët me qëllim për t'i dërguar si luftëtar të ISIS.

Prokuroria për Krime të Rënda kishte kohë që e mbante nën vëzhgim 29 vjeçarin, i cili për vite me radhë ka qenë pjesë e forcave të Armatosura. Erzen Uka ka shërbyer në dy misione ushtarake kundër terrorizmit në Afganistan dhe Irak në vitin 2011, por që pas kthimit nga këto misione ai ka shfaqur prirje ekstremiste.

 I divorcuar dhe i hetuar më herët pas denoncimit të bashkëshortes për dhunë në familje Erzen Uka, nuk ka lejuar që dy djemtë e tij t’i mbante e ëma edhe pse gjykata kishte urdhëruar dhënien e kujdestarisë të ëmës. Pavarësisht se zbatimin e vendimit ka pasur edhe angazhim të shërbimit përmbarimor, Uka ka bërë rezistencë duke penguar zbatimin e vendimit të gjykatës. Ende nuk dihet nëse 29 vjeçari ka pasur lidhje me grupet radikale që veprojnë në lindje dhe aktiviteti i tij në Shqipëri.

Gjatë një vëzhgimi të llogarisë së tij në "Youtube", mund të vihet re se Uka ka ngarkuar gjithsej 6 video, e fundit është para një jave. Në video e fundit, rreth 1 minutë, shfaqen dy fëmijë të vegjël, të cilët nën "komandon" e tij të rreptë bëjnë pompa. Bashkangjitur videos, Uka shkruan: "Përgaditeni fëmijët tuaj fizikisht & psikoligjikisht! Muslimani është ushtar i Allahut dhe si i tillë duhet të përgaditet!"

Në një tjetër video, Hamzah Uka shfaqet duke "dhënë leksione" sesi mund t'ia marrësh nga dora pistoletën një armiku e ndërsa nuk kanë munguar edhe deklarata si "Armiqtë e Islamit kanë me i luftu thirrsat e Islamit"