Arrestohet ish-sekretarja e Administratives në Vlorë! Dëshmia: Grisa dosjet dhe ndryshova vendimet për borxhet e familjes

12 Dhjetor 2019, 20:09

VLORË - Edlira Shehu, që dikur ka shërbyer si sekretare gjyqësore pranë Gjykatës Administrative Vlorë, është arrestuar nga forcat e policisë së Vlorës, në zonën e liqenit të Thatë në Tiranë. Lokalizimi dhe më pas arrestimi i ish-sekretares gjyqësore është arritur të realizohet nëpërmjet përgjimeve telefonike të kryera. Edlira Shehu, nënë e dy fëmijëve të mitur rezulton të ketë abuzuar me detyrën e saj, duke ndryshuar dizpozitivët e vendimit të gjykatës, dhe për pasojë sillte konfuzion mes palëve dhe gjyqtares që kishte gjykuar çështjen administrative.

Më konkretisht Edlira Shehu, në cilësinë e sekretares gjyqësore të gjyqtares me iniciale G.Xh, ka falsifikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të përsëritur disa vendime gjyqësore të kësaj gjyqtare. Në sallën e gjyqit gjyqtarja G.Xh ka vendosur rrëzimin me kërkesës për njërën palë, nga ana tjetër gjatë zbardhjes së vendimit, sekretarja e shkruante në dokument pranimin e kërkesë padisë. Një veprim i tillë ka ndodhur në disa raste, çka ka sjellë konfuzion mes palëve të përfshira në proces gjyqësor dhe vetë gjyqtares G.Xh, që kishte shqyrtuar dosjen.

Gjatë hetimeve të kryera nga prokurori Arjan Xhaferaj, ky i fundit ka zbuluar se në një rast kjo sekretare ka grisur dhe më pas zhdukur komplet fashikullin gjyqësor, duke sjellë probleme në mbarëvajtjen e këtij procesi gjyqësor. Ndërkohë në disa raste të tjera dyshohet se Edlira Shehu ka falsifikuar dhe firmën e gjyqtares G.Xh, duke firmosur vendimet në emër të saj. Abuzimet e kësaj sekretare gjyqësore janë referuar në prokurorinë e Vlorë nga gjykata Administrative e Vlorës, ku pas hetimeve të kryera janë konstatuar një sërë shkelje.

Prokurorisë dhe policisë së Vlorës, i janë dashur disa muaj hetime që të lokalizojë Edlira Shehun në zonën e liqenit të thatë në Tiranë dhe më pas ta arrestojë atë. Gjatë marrjes në pyetje Edlira Shehu ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se këto veprime kriminale i ka kryer kundrejt pagesave që i bënin palët e përfshira në proces gjyqësor. Pagesat varionin në shuma të ndryshme dhe se një gjë të tillë, Shehu, ka pohuar se e kryente për të shlyer borxhet financiare që familja e saj kishte.

Policia thotë se "materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, në ngarkim të saj, për veprat penale "Shpërdorim detyre" dhe "Zhdukja ose humbja e fashikullit".