Arrestohet në Tiranë kushëriri i 'Escobarit të Evropës', Franca kërkon ekstradimin e turkut të dënuar me 30 vjet për trafik heroine

18 Janar 2020, 16:36

TIRANË - Është arrestuar më 24 dhjetor 2019 në Tiranë një turk i dënuar me 30 vjet burg nga drejtësia franceze, si pjesë e trafikantëve të familjes Baybesin, konsideruar si "Eskobarët e Evropës". Por lajmi për kapjen e këtij personi nuk është publikuar nga policia shqiptare, dhe mësohet përmes burimeve jo zyrtare.

Në vitin 2003, 53-vjeçari Faruk Baybesin është dënuar në mungesë nga gjykata franceze e Loire Atlantique e me 30 vjet heqje lirie për trafik të heroinës në Evropë përgjatë viteve 1994 -1995 me të ardhura ndër vite që janë vlerësuar në 10 milionë paund.Në dhjetor 2019 Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj turkut të arrestuar masën e arrestit me 40 ditë me qëllim ekstradimin e tij në Francë. Edhe drejtësia francezë i ka përcjellë autoriteteve shqiptare dosjen penale kundër tij dhe kërkesën për ta dorëzuar Faruk Baybesin. Ndërsa pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka filluar procedurat për ekstradimit e turkut.

Më 24 dhjetor, Faruk Baybesin tentoi të hynte në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet shqiptare që ishte një person në kërkim me ngjyrë të kuqe dhe i dënuar për trafik të heroinës.

Mahmut Baybesin, babai i të arrestuarit në Shqipëri, gjithashtu është i dënuar si pjesë e rrjetit të narkotrafikut. Personi që ishte në krye të familjes së trafikantëve, është Husein Baybasin që përfundoi në burg për drogë.

Banda e familjes Baybesin, vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.