TIRANE-Drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi ka bërë bilancin e aksionit anti-informalitet që po zhvillohet prej disa javësh me theks të veçantë vijën bregdetare.
Ai tha se janë proceduar 30 zyrtarë të administratës për shpërdorim detyre, mes tyre 5 të arrestuar, një zyrtar i bashkisë së Fierit, kryetari i njësisë administrative Dilaver Shyti me akuzën e favorizimit të evazionit fiskal dhe 4 inspektorë në Shkodër që sot gjykata u ndryshoi masën e sigurisë duke i nxjerrë nga qelia në detyrim paraqitje.
Minxhozi deklaroi se në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vend-pushimesh me shezlong, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse.