Artan Hoxha: Ibrahim Lici ka ikur nga Shqipëria! Lufta që mund të shpërthejë mes burgjeve mes dy fiseve

26 Prill 2019, 16:21

Gazetari investigativ Artan Hoxha, tha se Ibrahim Lici, 26 vjeç, që dyshohet të jetë ekzekutori i vëllezërve Bilali më 30 mars në Shkodër, është arratisur nga Shqipëria. Në një koment në studion e Report Tv, gazetari Hoxha tha se Lici ka dalë jashtë vendit. Ai tha se shumë shpejt pritet të zbardhen edhe një sërë vrasjesh në kryeqendrën e veriut, që kanë sjellë krimet në seri mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër.

Gazetari tha se Ibrahim Lici është vëllai i Muhamed Licit, i arrestuar dhe i dënuar pas operacionit të RENEA-s më 5 mars 2017 në zonën e Shirokës. Në këtë aksion u shoqërua edhe Ibrahimi - tha Hoxha.

"Grupi mbante në kontroll dy nga tregjet në Shkodër. Të gjithë tregtarët e tregjeve paguanin një tarifë mujore ndaj këtij grupi, një tarifë deri diku e përballueshme. Kur u godit grupi tregtarët kërkuan të liroheshin se me polici private nuk ishin të sigurt, dhe do u kushtonte më shumë".

Muhamed Lici u dënua me 13 vjet burg, përfitoi gjykim të shkurtuar, kujtoi gazetari Hoxha, teksa tha një detaj të fortë. "Ai mbahet nën masa të rrepta sigurie, që të parandalohet mundësia e goditjes së tij gjatë kohës që është në burg. Sepse në burgjet shqiptare ndodhen anëtarë të të dyja grupeve rivale", u shpreh gazetari.

Ai shtoi më tej se personi që ka qëlluar ndaj vëllezërve Bilali, dyshohet të jetë Ibrahim Lici, ndërsa dy të arrestuarit e tjetër, dyshohet të kenë qenë me të.